Thirrje për bizneset: Mos i hidhni mbeturinat në kontejnerët e dedikuar për banorët!
NPL “Përparimi” njofton të gjitha bizneset se hedhja e mbeturinave të tyre në pikat e grumbullimit të dedikuara për banorët e ndërtesave kolektive është e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e mirëmbajtjes së rendit, pastërtisë dhe shfrytëzimit të përgjegjshëm të hapësirave të përbashkëta.
Pavarësisht shërbimeve që NPL “Përparimi” ofron për menaxhimin e mbeturinave, disa biznese vazhdojnë të shfrytëzojnë në mënyrë të papërshtatshme kontejnerët e dedikuar për qytetarët. Kjo praktikë shkakton mbingarkesë të pikave të grumbullimit, vështirësi në menaxhimin e mbeturinave dhe pakënaqësi te banorët.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë këtë praktikë dhe të sigurojnë menaxhimin e duhur të mbeturinave të tyre, në përputhje me rregullat dhe obligimet ligjore në fuqi.
NPL “Përparimi” nuk do të tolerojë vazhdimin e këtyre veprimeve. Për çdo rast të evidentuar do të kërkohet ndërmarrja e masave përkatëse nga Inspektorati dhe institucionet e tjera kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Paralajmërim për bizneset
Në rastet kur evidentohen shkelje të tilla, NPL “Përparimi” rezervon të drejtën që, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e transparencës, t’i bëjë publike rastet e dokumentuara, duke respektuar procedurat dhe të drejtat ligjore të palëve të përfshira.
Pastërtia është përgjegjësi e përbashkët. Respektimi i rregullave për menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike është obligim i secilit prej nesh.
NPL “Përparimi” fton të gjitha bizneset të tregojnë përgjegjësi, të bashkëpunojnë me institucionet kompetente dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të pastër, të shëndetshëm dhe të përshtatshëm për të gjithë qytetarët.
Për një qytet më të pastër, përgjegjësia fillon nga secili prej nesh!
NPL “Përparimi”





