Për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë gjatë këtyre ditëve, ekipet e NPL “Përparimi” Sh.A. kanë intensifikuar aktivitetet për mirëmbajtjen e hapësirave publike. Vëmendje e veçantë i është kushtuar ujitjes së sipërfaqeve të gjelbëruara dhe drunjve dekorativë, me qëllim të ruajtjes së gjelbërimit dhe krijimit të një ambienti sa më të pastër e të këndshëm për qytetarët.
Njëkohësisht, me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë gjatë sezonit veror, është shënuar një rritje e sasisë së mbeturinave. Për t’iu përgjigjur kësaj situate, ndërmarrja ka organizuar ekipe të posaçme, të cilat janë të angazhuara 24 orë në ditë për grumbullimin, largimin dhe menaxhimin sa më efikas të mbeturinave, në mënyrë që të ruhet pastërtia në të gjitha zonat e Komunës së Vushtrrisë.
Po ashtu, puna ka vazhduar pa ndërprerje edhe në identifikimin dhe sanimin e defekteve në rrjetin e ndriçimit publik, si në qytet ashtu edhe në fshatrat e komunës, me synimin për të garantuar funksionim sa më të sigurt dhe efikas të këtij shërbimi.
NPL “Përparimi” Sh.A. mbetet e përkushtuar që, përmes punës së pandërprerë dhe angazhimit të stafit të saj, të ofrojë shërbime cilësore, efikase dhe në kohë për të gjithë qytetarët e Komunës së Vushtrrisë.







































