Të nderuar qytetarë të fshatit Stroc,
Siç jeni të informuar, gjatë vitit 2025, NPL “Përparimi” Sh.A. – Vushtrri ka marrë nën menaxhim lokacionin (pikën e zezë) pranë shkollës në fshatin Stroc. Që nga fillimi i këtij procesi, një pjesë e banorëve ka shprehur kundërshtime lidhur me këtë vendim.
Në çdo takim të zhvilluar me banorët, kemi sqaruar se menaxhimi i këtij lokacioni nga ndërmarrja jonë është në interes publik dhe, mbi të gjitha, në shërbim të banorëve të fshatit Stroc. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet krijimi i një mjedisi më të pastër, më të sigurt dhe më të rregulluar për të gjithë.
Për këtë arsye, kemi ndërmarrë masa konkrete, duke e rrethuar dhe lokalizuar këtë pikë, si dhe kemi planifikuar vendosjen e rampave për kontrollin e hyrje-daljeve, me qëllim të parandalimit të hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave.
Megjithatë, pavarësisht angazhimit tonë, gjatë kësaj periudhe jemi përballur me pengesa të vazhdueshme, përfshirë edhe bllokimin e rrugës, gjë që ka vështirësuar kryerjen e detyrave tona. Pavarësisht këtyre sfidave, ndërmarrja ka vazhduar ta menaxhojë këtë lokacion në mënyrë të rregullt, duke realizuar intervenime pesë herë në javë. Megjithatë, menaxhimi i lokacionit është penguar nga bllokimi i njëanshëm i qasjes në këtë hapësirë.
Duke vlerësuar se tashmë ekziston një mirëkuptim më i gjerë për domosdoshmërinë e këtij menaxhimi dhe rëndësinë e tij për interesin e përbashkët, ju njoftojmë se do të vazhdojmë me fazën e radhës të projektit, përmes vendosjes së makinerisë përkatëse në këtë lokacion. Ky investim do të mundësojë rritjen e sigurisë, menaxhim më efikas të hapësirës dhe transformimin gradual të saj në një ambient të gjelbëruar, të rregulluar dhe në përputhje me planifikimin e paraparë.
NPL “Përparimi” Sh.A. – Vushtrri mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesit publik dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë qytetarët.
Me respekt,
NPL “Përparimi” Sh.A. – Vushtrri

